“Cozman rrëfen lidhjen me Tunën”. Ishte ky një shkrim që pushtoi shtypin rozë të ditëve të fundit sipas të cilit reperi kishte pranuar lidhjen me Tunën duke rrëfyer edhe për fillimet e lidhjes së dashurisë. Por kjo intervistë del të mos jetë e vërtetë. E kontaktuar nga gazeta Tribuna këngëtarja shkupjane e cila këto ditë po qëndron më shumë në Prishtinë, e përgënjeshtroi një lajm të tillë duke e quajtur sajesë të gazetarëve.
“Ai shkrim nuk është i vërtetë. Cozman nuk ka dhënë asnjë intervistë dhe nuk ka folur për këtë temë për asnjë gazetë. Ai shkrim është një sajim i gazetarëve”, ka thënë fillimisht Tuna sipas së cilës edhe gazetarja që e ka përhapur këtë lajm e ka pranuar se intervista me Cozman ishte e sajuar.
Megjithëse fotot dhe mbishkrimet e ëmbla drejtuar djaloshit prishtinas në rrjetet sociale janë pohimi më i miri nga ana e këngëtares për lidhjen me Cozman. Ajo për gazetën Tribuna nuk deshi të komentojë për këtë çështje. “As unë, as Cozman nuk kemi folur për këtë çështje dhe akoma nuk dua të jap asnjë koment lidhur me mua dhe Cozman”, ka deklaruar shkurt këngëtarja duke mos e mohuar e as pohuar lidhjen mes tyre që tanimë për të gjithë është e besuar.
Ndryshe Tuna ka treguar se këto ditë është e angazhuar me koncerte dhe mbrëmje të ndryshme muzikore, ndërsa muaji shtator do të jetë koha kur ajo do të sjellë diçka të re për publikun.