Një zhurmë i shqetësoi qytetarët e Prishtinës në natën mes të enjtes dhe të premtes. Dhe, kjo është arsyeja pse shumë prej tyre bënë xhirime.
Mendimet për burimin e saj janë nga më të ndryshmet
“Jo alien, por një gjë më e përsosur që mund të lëshojë zhurmë aq të madhe”, thotë një bashkëbisedues për Klan Kosovë.
Dikush frikën po e mposhtë me besim.
“Jom friksu po me emër të Allahut qysh e ka shkru”, thotë një tjetër.
Në fakt, në shërbimin kujdestar të policisë në Prishtinë, janë bërë edhe telefonata nga qytetarët e shqetësuar, por organet e rendit pranojnë se ua kanë bërë me dije atyre se nuk e kanë idenë çfarë po ndodh .
Mirëpo, derisa në kryeqytet pati shqetësim, për banorët e Obiliqit kjo zhurmë nuk ishte diçka brengosëse. Sipas tyre, atë e shkaktojnë termocentralet që gjenden afër tyre.
“Sa her’ bjen ose hin ndonje elektran prej sistemit, osht kjo zhurmë”.
Këta tashmë janë mësuar të dëgjojnë diçka të tillë për dekada me radhë.
“Jemi msu na me ket zhurmë. Përpara bojke ma shumë”.
Fjalët e këtyre i konfirmojnë zyrtarët e Korporatës Elektroenergjetike. Sipas tyre, disa nga termoelektranat janë në përfundim të fazës së remontit.
“Mbrëmë është bërë, siç quhet, shkarkimi i kaldave dhe kjo shkakton zërat të tillë. Nuk janë diçka të jashtzakonshëm”, thotë Edmond Nulleshi, drejtor i Shërbimeve në KEK.
E është edhe një njohës i fenomeneve natyrore, që beson se zhurma nuk është diçka më shumë se sa ajo që buron nga KEK-u. Meteorologu Sylë Tahirsylaj, thotë se diçka e tillë mund të jetë normale për kushtet klimatike aktuale. Sipas tij, temperaturat e ulëta, prania e borës dhe qetësia më e madhe që mbretëron gjatë kësaj stine, bëjnë që zërat nga Obiliqi të përçohen lehtë deri në Prishtinën e afërt e të stërmbushur me ndërtesa.
Kësi zhurma janë dëgjuar kohë pas kohe në Prishtinë, por viteve të fundit po përjetohen më me shqetësim gjë që dëshmohet se shumë xhirime shpejt publikohen në internet.
Zhurma të tilla dëgjohen shpesh kudo në botë, dhe gjithmonë ato përcillen me teori të ndryshme. Mëngjesin e të martës, më 21 shkurt 2012, rreth orës 2:30-3:00 të mëngjesit, në Kosovë janë dëgjuar zëra të çuditshëm që po ashtu janë regjistruar nga shumë njerëz. Disa prej tyre edhe mund të jenë frikësuar. E njëjta ndodhi edhe më 2 nëntor 2012!
Në fakt, siç ka raportuar Telegrafi më parë, ajo që ndodhi më herët ishte vetëm një përplasje e energjive të larta elektromagnetike, që në shkencën e zërit njihet si gravitacion akustik.
Sidoqoftë, pas shfaqjes së këtyre zërave anë e mbanë botës janë përhapur dhe teoritë konspirative se po afrohet apokalipsi apo fundi i botës.
Pohime të tilla ka pasur edhe më herët, në shumë vise të botës, por më vonë janë kuptuar vetëm si prishje qetësie nga individë të papërgjegjshëm.
Sipas disa hipotezave, thuhet se këto janë pasojat e teknologjisë HAARP, të cilës ia atribuojnë të gjitha “meritat” kohët e fundit: prej tërmeteve, tornadove, e deri tek zhurmat e pazakonta dhe ngrohjen globale.
Një sqarim tjetër është se këto janë aktivitete të jashtëtokësorëve pasi në disa raste janë vërejtur edhe UFO në qiell. Ka edhe prej atyre që besojnë se e tërë kjo është pasojë e ndryshimit të fushës magnetike të tokës.
Të tilla shpjegime janë dhënë edhe rastin e mbrëmshëm të zhurmave “misterioze”, gjë që vërehet edhe nga raporti i Klan Kosovës. /Klan Kosova/
Zërat "misteriozë", 21 shkurt 2012
Zërat "misteriozë", 2 nëntor 2012